Song of Solomon 3
1 Netëve, mbi shtrojën time, e kërkova atë që me gjithë shpirt e dua. E kërkova, por s'e gjeta.
2 Do të ngrihem, pra, qytetit ndër udhë e sheshe të endem, atë që me shpirt e dua, ta kërkoj. E kërkova, por s'e gjeta.
3 Më hasën rojtarët, tek silleshin qytetit. «A e patë kund atë që me shpirt e dua?».
4 Fill sa i kalova, e gjeta unë atë që me shpirt e dua. E rroka e nuk do ta lëshoj pa e shtënë në shtëpi të nënës sime, në dhomën e asaj që më ngjizi.
5 Ju përbehem, o bijat e Jerusalemit, pash sorkadhet a sutat e fushës: mos e zgjoni, mos e ngucni dashurinë deri kur t'ia ketë ënda.
6 Ç'është ajo që shkretëtirës ngjitet porsi shtëllungat e tymit me mirrë e temjan erëzuar e me çdo pudër që shitet?
7 Ja, bartorja e Solomonit! Gjashtëdhjetë trima e rrethojnë, ndër më të fortët e Izraelit.
8 Të gjithë shpatën vringëllojnë e për luftë janë të ushtruar, shpatën ngjeshur e mbart secili kundër lemerisë së natës.
9 Një vig bëri për vete Solomoni me drurë prej Libani.
10 Këmbët prej argjendi i bëri, shpinëzën prej ari e ndenjësen të purpurt, me dashuri brenda qëndisur nga bijat e Jerusalemit.
11 Dilni e shihni, o bijat e Sionit, mbretin Solomon, me kurorën që e ëma i vuri atë ditë kur u martua, atë ditë kur zemra iu gëzua.